Rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk do të thotë se benzina dhe nafta nëpër pompa do të ulen menjëherë. Sipas New York Times, arsyeja është e thjeshtë: stacionet e karburantit i blejnë furnizimet me vonesë, me çmime që kanë qenë më të larta, dhe përpiqen të mbrojnë marzhet e tyre në një treg ku konsumatorët reagojnë menjëherë ndaj çdo rritjeje.
Një pronar pike karburanti në Massachusetts tregon se çmimi me shumicë i benzinës për të u rrit me gati 40% në pak javë, ndërsa ai vetë e rriti çmimin për konsumatorin me rreth 34%, sepse kishte frikë se po të shkonte më lart do të humbiste klientët. Sipas tij, kur çmimet rriten shpejt, bizneset e vogla e ndiejnë menjëherë goditjen në cash flow, ndërsa kur çmimet bien, ata lëvizin më ngadalë për t’i ulur, në mënyrë që të rikuperojnë një pjesë të humbjeve.
Ekspertët e ekonomisë thonë se kjo është një sjellje e njohur: konsumatorët zemërohen shumë kur çmimet rriten papritur, por kur ato bien pak, edhe një ulje e vogël u duket si lajm i mirë. Për këtë arsye, pikat e karburantit i mbajnë çmimet pak më lart edhe kur kostoja me shumicë nis të bjerë.
Në SHBA, konsumatorët po reagojnë duke marrë më pak karburant në çdo furnizim, duke kaluar te cilësi më të lira dhe në disa raste duke ndryshuar sjellje afatgjata, si bashkimi i udhëtimeve me të tjerë. Sipas operatorëve, kur çmimi kalon pragje të caktuara, një pjesë e këtij ndryshimi në sjellje mbetet edhe pasi çmimet bien.
Pra, mesazhi kryesor është ky: edhe nëse nafta bruto bie, çmimet në pikat e karburantit zbresin më ngadalë. Jo vetëm për shkak të kostos së mëparshme, por edhe sepse tregu i karburanteve sot funksionon me logjikë më të ndërlikuar se thjesht “ra nafta, bie edhe çmimi te pompa”. /New York Times














