Ambasadori i Indisë në Shqipëri, Ravindra Prasad Jaiswal ka deklaruar se po punohet për një marrëveshje me qeverinë shqiptare që synon rekrutimin e punonjësve nga India në Shqipëri.
Në një prononcim për mediat nga qyteti i Pogradecit, diplomati tha se aktualisht janë rreth 1200 indianë të punësuar në vendin tonë, ndërsa shtoi se numri pritet të rritet në vijim.
“Nga raportimet, kemi parë se në vitin 2024, që kur u vendos regjimi pa viza, njerëzit kanë ardhur gjithnjë e më shumë në Shqipëri, sidomos indianët që jetojnë në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA. Ata po vijnë në numër të madh, vitin e kaluar rreth 30,000 deri në 35,000 persona nga India dhe indianë nga vende të tjera kanë qenë këtu.
Kështu, në katër muajt e parë të vitit numri i indianëve që vizitojnë Shqipërinë pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin 2024. Kështu që unë shoh një perspektivë të mirë për ardhjen e indianëve në Shqipëri dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë këtë vit dhe në vitet në vazhdim” tha ai.
Sipas tij, punëtorët indianë njihen për disiplinën dhe përshtatshmërinë, ndërsa bizneset shqiptare pritet t’i konsiderojnë si një burim të vlefshëm për sektorë të ndryshëm ekonomikë.














