Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë shtetas, mes tyre katër ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Himarë, të akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.
Sipas organit të akuzës, hetimet lidhen me ndërtimet e paligjshme në zonën e njohur si “Kodra e Rrapojve” në Himarë.
Nga verifikimet ka rezultuar se të pandehurit, gjatë ushtrimit të funksioneve publike, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke cenuar interesat e shtetit dhe subjekteve të tjera.
Tre prej të pandehurve, akuzohen për “Ndërtim të paligjshëm”, ndërsa katër ish-zyrtarët e IMT-së në bashkinë Himarë, akuzohen për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kanë ushtruar detyrën sipas ligjit në lidhje me këto ndërtime.
Konkretisht:
- M.B., i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”
- B.M., i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”
- Sh.T., i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”
- R.H., ish-kryeinspektor i IMT Himarë, për “Shpërdorim detyre”
- M.N., ish-kryeinspektor i IMT Himarë, për “Shpërdorim detyre”
- E.Z., ish-inspektor i IMT Himarë, për “Shpërdorim detyre”
- R.K., ish-inspektor i IMT Himarë, për “Shpërdorim detyre”
Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë mbi fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarve.














