Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e premte në Fushë-Krujë, ku u vra me armë zjarri Artur Çangu.
Gazetarja Klodiana Lala, në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në News24, dha detaje mbi ngjarjen.
Sipas saj, fillimisht u përfol se fëmijët e viktimës kishin pasur një konflikt me autorin e dyshuar, Eduart Afmatajn, por policia konfirmoi se nuk kishte ndodhur asnjë përplasje mes tyre.
Çfarë ka ndodhur mes Çangut dhe autorit mbetet e paqartë, pasi ngjarja ka ndodhur në një zonë pa kamera dhe pa dëshmitarë.
Gazetarja theksoi se viktima kishte dalë nga banesa për të shkuar te ullishtja e tij, ku më pas u qëllua me armë çifte.
“Pati një ngjarje të rëndë të premten pasdite në Nikël të Fushë-Krujës. Që nga ngjarja e ndodur te rrethrrotullimi i Rinasit, s’kishim parë një ngjarje tjetër kaq të rëndë. Fillimisht u tha se fëmijët e Artur Çangut ishin konfliktuar me autorin e dyshuar, Eduart Afmatajn. Por u konfirmua se ata nuk kishin pasur asnjë konflikt.
Se çfarë ka ndodhur mes tyre, në një zonë ku nuk ka kamera dhe as dëshmitarë, mbetet për t’u sqaruar. Duket si vrasje për motive të dobëta. Nëse është kështu, është shumë e rëndë. Çangu kishte dalë nga banesa për të shkuar te ullishtja e tij.
Ai është vrarë me armë, çifte. Mbetet për t’u sqaruar dinamika, pasi është zonë e papopulluar. Pjesa që dua të ndalem është se jo çdo konflikt zgjidhet me armë, por duhet t’i drejtohen institucionet. Kjo do të sjellë konflikt të ashpër mes dy familjeve, një krushqi të prishur.”, tha ajo.














