Ndonëse është fakt se raporti IBAR është bllokuar në Bruksel, Edi Rama vijon të këmbëngulë se nuk ka asnjë pengës për negociata.
Ai ka sulmuar opozitën gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste në Lushnjë, duke e akuzuar atë për përhapje thashethemesh dhe dezinformim në lidhje me procesin e integrimit europian.
“Ditën dhe natën ligjin e bën gënjeshtra, thashetheme, gjysmë e gënjeshtra, që është dhe pjesa më e madhe, sajesa. Përveç atyre që na kanë dhënë votën dhe mbështetjen, askush tjetër nuk na e fal dhe nuk do t’ia dijë për atë fitore që morëm dhe pse na zgjodhën. Por do sherr dhe shamata, thashetheme, llucë e baltë. Kjo bie dhe mbi ju, ata që na kanë dhënë votën. Të rrish dhe dëgjosh vetëm keq e zi, diçka ndodh në aspektin e motivimit”, u shpreh Rama.
Rama akuzoi opozitën se po dëmton imazhin e vendit edhe në arenën ndërkombëtare, duke përmendur konkretisht komunikimin në Bruksel.
“Edhe Maqedonia e Veriut gati ishte në luftë civile, por opozita nuk shkonte dhe shante në Bruksel. Na e thonë të tjerët atje; ore si ka mundësi! Me keqardhje e bëjnë ata që na kanë pas, por në fakt as pas nuk i kemi. Ata mendojnë se do na mundin duke lehur në Bruksel. Sa më shumë ta bëjnë këtë, aq më shumë do të zhyten. Jo të gjithë do të gëzohen që Shqipëria po bën sukses”, tha Rama.
Ai theksoi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian mbetet prioritet i qeverisë, ndërsa kritikoi ashpër retorikën politike që, sipas tij, synon të krijojë konfuzion dhe të ulë besimin e qytetarëve.
“Ky është sebepi, por jo motivi kryesor se pse ne e pamë të udhës që të bëjmë këtë fushatë, mund ta quajmë komunikimi, pasi motivi kryesor lidhet me momentin e çuarjes përpara të negociatave për anëtarësim dhe mbyllje të tyre, që të jemi pranë njerëzve për të informuar për punët e Shqipërisë, për të cilat shqiptarët shohin dhe dëgjojnë pak ose aspak”, deklaroi ai.














