Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar që sikur edhe një nen i marrëveshjes Athinë-Shkup të mos miratohet, atëherë kjo marrëveshje për fat të keq do të anulohet.
Por Tsipras ka shtuar se ai është optimist që “do t’ia arrijmë”. “Nëse edhe pala tjetër bën hapin e madh, atëherë marrëveshja do të ratifikohet në parlamentin grek me një maxhorancë të madhe demokratike dhe patriotike”, tha kryeministri grek gjatë një interviste në televizionin publik, ET1.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse marrëveshja ratifikohet nga parlamenti maqedonas, por jo edhe ai grek, Tsipras tha se dy ministrat e jashtëm do të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të marrë fuqi vetëm pasi të ratifikohet nga të dy parlamentet. Tsipras tha se janë një sërë hapash që duhet të bëjë vendi fqinj deri sa marrëveshja të shkojë për ratifikim në parlamentin grek dhe të marrë fuqi.
Kryeministri grek tha se e rëndësishme tash e tutje është nëse pala tjetër do të realizojë gjithçka që parashikohen dhe shtoi se është një marrëveshje që mund të bëhet jetësore.
“Krijuam një momentum dhe i mundëm tregtarët e patriotizmit në të dy anët e kufirit”, theksoi Tsipras.
“Ndihem i lumtur dhe me fat që më ndodhi të jem kryeministër në kohën kur në vendin fqinj pati një ndryshim të rëndësishëm politik. Ky ndryshim i dha mundësinë zotit Zaev që të bëjë një përpjekje reale dhe të mundimshme për të zgjidhur një problem që na kthente dekada mbrapa”, tha më tej Tsipras.
“Me zotin Zaev bëmë një betejë, secili në vendin e tij kundër përpjekjeve të organizuara të tregtarëve të patriotizmit. Patriotizëm i vërtetë ishin përpjekjet tona për të avancuar në dobi të të dy popujve”, shtoi.
I pyetur mbi qëndrimin e partnerit qeveritar, partinë grekët e Pavarur që ka thënë se do ta kundërshtojë marrëveshjen, Tsipras tha se nuk kërkon nga ministri i mbrojtjes Kammenos që të ndryshojë qëndrimet e veta parimore. “I kërkoj që të mos verë në rrezik qeverisjen e sotme, rrugën e vendit, në këtë moment kritik që jeni pranë daljes nga kriza”, tha shefi i qeverisë greke.
“Panos Kammenos ka parimet dhe vlerat e veta, por nuk është tregtar patriotizmi”, nënvizoi Tsipras, dhe theksoi se kreu i grekëve të pavarur nuk do të rrëzojë qeverinë për të bërë karrierë politike.
Reagimet
Edhe pse kryeministri grek deklaron se marrëveshja do të votohet nga një maxhorancë e madhe, gjithë partitë opozitare janë shprehur kundër.
Kryetarja e lëvizjes për ndryshim, një koalicion forcash të qendrës së majtë, tha se nuk do ta votojnë marrëveshjen.
Ndërsa shefi i partisë më të madhe opozitare, Kyriakos Mitsotakis, paraqiti në mesditë mocion mosbesimi ndaj qeverisë.
Duke folur për marrëveshjen, Mitsotakis tha se “kjo ishte pika që derdhi gotën. Obligimi im është që të bëj ç’të mundem që të anuloj këtë marrëveshje të keqe, duke shfrytëzuar çdo mundësi që më jep kushtetuta”.
Debati parlamentar për mocionin e opozitës do të zhvillohet pasditen e të enjtes.