Autoritetet serbe kanë zbuluar lëndë shpërthyese pranë një gazsjellësi të rëndësishëm që transporton gaz natyror rus drejt Hungarisë, në zonën e Kanjizhës, në rajonin e Vojvodinës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se janë gjetur dy çanta me eksploziv me fuqi të lartë shkatërruese, së bashku me detonatorë, rreth 15 kilometra larg kufirit me Hungarinë dhe shumë pranë infrastrukturës së gazit.
Vuçiç bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për ta informuar mbi situatën dhe hetimet që po zhvillohen nga policia dhe ushtria serbe.
“Është e qartë se loja gjeopolitike nuk do të na lërë të qetë,” u shpreh ai, duke theksuar edhe rolin e shërbimeve të inteligjencës në zbulimin e materialeve të rrezikshme.
Sipas mediave serbe, zona është rrethuar nga forcat antiterror dhe ushtria, ndërsa helikopterë po monitorojnë nga ajri vendin ku u gjetën eksplozivët.














