Kërkesa e SPAK për pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka do të shqyrtohet më 21 prill në orën 10:00.
Sipas raportimeve në media, seanca do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme dhe do të drejtohet nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila do të marrë në shqyrtim kërkesën e organit të akuzës për mbylljen e procedimit.
Në seancë pritet të jenë të pranishëm përfaqësues të SPAK, si dhe pala që ka bërë kallëzimin, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pas vlerësimit të kërkesës dhe argumenteve të paraqitura nga palët.
Kujtojmë se më datë 25.03.2026, Prokuroria e Posaçme paraqiti pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila ishte kallëzuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
SPAK argumentonte se ka administruar dokumente nga institucione shqiptare dhe greke, si dhe ka kryer verifikime nga të cilat ka rezultuar se Gjoka kishte qenë subjekt i procedurave gjyqësore në Greqi, ku në vitin 2005 Gjykata e Janinës e kishte shpallur fajtore për përdorim dokumentesh të parregullta.
Por sipas SPAK, vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.
Po sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë.
Për pasojë, argumentonte SPAK, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale.
LEXO EDHE:
SPAK kërkon pushimin e çështjes së Irena Gjokës: Nuk provohet vepra penale!














