Ka dështuar sërish seanca në GJKKO, kundër kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë.
Kjo është seanca e tretë që dështon kundër Veliajt, ndërsa vetë ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallë, teksa ka deklaruar se është duke lexuar fashikujt hetimorë në paraburgimin e Durrësit.
Ai përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, që u legjitimua si mbrojtës në seancën e shkuar. E pranishme ishte edhe avokatja kryesisht Valentina Todoresku, ndërsa shumica e të pandehurve të tjerë mungonin.
Gjatë seancës, avokati Sokol Hazizaj kërkoi që klienti i tij, Fatmir Bektashi, së bashku me shoqërinë e tij, të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Kjo kërkesë shkaktoi kundërshti nga përfaqësuesit e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dados. Ky i fundit ngriti akuza se po përdoren strategji për të zvarritur procesin.
Diskutimet në sallë:
Sokol Hazizaj, avokat: Duke qenë se narrativa nuk ka ndonjë debat për Fatmir Bektashin, kërkojmë ndarjen e procesit për të mos vazhduar me shtyrje. Kërkesën time nuk e bëj në paragjykime, por mendoj që është tej paragjykimeve në këtë proces. Unë po bëj kërkesë të thjeshtë.
Ols Dado: Është strategji për të shtyrë procesin, kemi 8 muaj që s’po arrijmë dot të futemi. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. Kërkesën e avokatit Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj. S’ka në thelb shkaqe procedurale. Nuk paraqet interes për ekonominë gjyqësore.
Plarent Ndreca (avokat i Veliajt): Nuk është hera e parë që Ols Dado përmend 6 apo 8 muaj. Kërkon të bëjë bashkë edhe gjykimin paraprak, por nuk kemi qëllim për të shtyrë seancën, se unë jam këtu. Seancës unë dua t’i jap atë që ka nevojë, proces të rregullt gjyqësor. Jemi për proces që të zhvillohet me shpejtësi, por pa shkelur të drejtat procedurale. Për kërkesën ne bashkohemi me Artan Simonin për të shtyrë seancën.
Pasi u tërhoq për vendim lidhur me kërkesën e Sokol Hazizaj, GJKKO shty seancën për të premten ora 09:00.
Erion Veliaj ndodhet në “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.














