Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me situatën në Policinë e Shtetit dhe shqetësimet për korrupsionin.
Në dokumentin zyrtar, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, PD i referohet gjetjeve të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Sipas këtij raporti, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit vijon të mbetet e ekspozuar ndaj korrupsionit.
Demokratët theksojnë se procesi i vlerësimit kalimtar dhe verifikimit të integritetit të punonjësve të policisë (vettingu në polici) nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, duke mbetur i kufizuar. Gjithashtu, në raport evidentohet se ka pasur raste intimidimi dhe kërcënimi ndaj gazetarëve, përfshirë edhe raste të lidhura me zyrtarë të lartë apo punonjës policie.
Sipas PD, këto problematika janë konfirmuar edhe në raportin e Komisionit Europian për vitin 2024, ku theksohet se Policia e Shtetit mbetet e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se llogaridhënia vijon të jetë e dobët.
Në kërkesën për interpelancë, opozita kërkon shpjegime nga Ministri i Brendshëm për masat konkrete që janë marrë për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë, për ecurinë e procesit të vettingut dhe për garantimin e sigurisë së gazetarëve.















