Ditën e sotme, në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 u trajtua një nga ngjarjet më të rënda dhe tronditëse që ka ndodhur së fundmi në vendin tonë.
Në fshatin Kuman të Roskovecit, 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj, brenda banesës, përpara se t’i japë fund jetës edhe vetë me të njëjtën armë.
Kryeplaku i fshatit Tomorr Metani, duke folur në emision tregoi se nuk kishte dëgjuar kurrë që mes çiftit të kishte konflikte.
Ai tha se Shefiti kishte sjellje shumë normale, ndërsa pohoi se viktima, Dashuri Rrapaj ishte zonjë grua.
Mes të tjerash ai tha se nuk ishte vënë në dijeni nga policia, të konfliktit të 10 ditëve më parë mes çiftit.
“Familja Rrapaj ka ardhur para 25 vitesh në fshatin tonë. Kanë qenë shumë të komunikueshëm, nuk kanë pasur probleme. Ata ishin nga Levani i Beratit, dhe u zhvendosën këtu te ne. Shefiti ishte normal, ishte familje e mirë, nuk ka pasur probleme.
Ata nuk kanë sjellë ndonjë problem apo shqëtësim. Sidomos Dashuria ishte zonjë grua. Ato gjëra kur i mora vesh dje, u habita. Lajmin e mora vesh nga një shok, që kishte kaluar me makinë. Më tha; ku je? Më tha ka ndodhur një rrëmujë te shtëpia e Shefitit.
Më pas mora familjen në telefon, dhe më thanë; po shohim policinë, më duket se ka vrarë veten Shefiti dhe ka vrarë Dashurinë e shkretë. Isha mbrëmë te shtëpia, djali i dajës që e ka përballë, ndan vetëm rruga, tha që; nuk dëgjuam as krisëm, asgjë! Shefiti nuk ka pasur probleme, ka qenë familjar i mirë, i respektuar.
Kishte 9 fëmijë. Fëmijët ishin të rregullt, me norma. Ata kanë ikur jashtë. Djali i vogël, ishte nja 1-2 javë nga emigrimi.
Shefiti ishte njeri normal. Nuk e dija që kanë pasur incident. S’më ka marrë kush njeri në telefon. Në muhabetet e brendshme që u bë, po diskutoheshin këto gjëra. Me të vëllanë e Dashurisë që fola mbrëmë, me Enverin, ai nuk dinte gjë.
Vëllai i Dashurisë tha se kishte folur 2-3 ditë më parë në telefon me të motrën. Takimi im me Shefitin ka qenë normal. Unë kam një dyqan të vogël te shtëpia.
Ai erdhi mori një bidon vaji për motorsharrën. Ishte bisedë shumë normale, si gjithmonë. Në shtëpi ishin vetëm njerëzit e Dashurisë, nuk kishte asnjë nga njerëzit e Shefitit. Motra e Shefitit nuk ishte në shtëpi. Ata nuk komunikonin motër e vëlla. Që kur ka ardhur në Kuman ajo, nuk flasin.
Mendoj se ka qenë e papritur. Nuk ngrihej dora ndaj Dashurisë. Sot ika në orën 5:00 nga shtëpia. Fëmijët kishin marrë të ëmën dhe e çuan në fshatin e saj të lindjes. E kanë marr vëllezërit e saj.”, tha ai.














