Një konflikt pronësie që zgjat prej dy dekadash në fshatin Imshtë të Lushnjës është rikthyer në qendër të vëmendjes, duke prodhuar jo vetëm përplasje fizike në terren, por edhe një debat të ashpër ligjor dhe politik. Në mesin e kësaj stuhie qëndron deputeti Erion Braçe, i cili akuzon pronarët e certifikuar si “mashtrues ordinerë” dhe “grabitës të tokë publike”, ndërsa dokumentet zyrtare tregojnë një realitet tjetër.
Si nisi historia?
Gjithçka u rindez pas postimeve të zotit Braçe në rrjetet sociale, ku ai pretendonte se toka pranë lumit Seman, e përdorur historikisht nga banorët, po grabitej nga “zengjinët e rinj”. Mirëpo, e vërteta dokumentare rezulton më komplekse. Pasuria në fjalë zotërohet me certifikata të rregullt pronësie nga shtetasit Anduel dhe Elton Çekrezi, të cilët e kanë blerë atë në vitet 2022-2023 nga trashëgimtarët e ligjshëm. Sipas avokatit Elis Bilali, transaksioni është kryer mbi një kartelë pasurie të lirë dhe në përputhje të plotë me Kodin Civil dhe ligjin për Kadastrën.
Shkresa e “cunguar” e ATP-së dhe zbulimi i dosjeve
Deputeti Braçe bazohet sulmin e tij në një përgjigje të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), e cila fillimisht deklaroi se nuk kishte vendim për njohje pronësie në atë zonë. Megjithatë, një verifikim më i thellë në arkivat fizike të institucionit nxori në dritë dy dosje (Nr. 145 dhe Nr. 156), që i korrespondojnë vendimeve të vitit 1998 për kthimin e pronës.
Eksperti Romeo Nazar shpjegon se mungesa e dokumenteve në ATP shpesh vjen nga burokracia ose keqmenaxhimi i arkivave gjatë transferimeve, por kjo nuk do të thotë se vendimi nuk ekziston, për sa kohë ai ekziston në regjistrat e Kadastrës dhe ish-ndërmarrjes pyjore të Bashkisë Lushnjë.
Nga ana tjetër, banorët e fshatit Imshtë pretendojnë se toka u përket atyre, duke u bazuar në një vendim të ish-Komunës Bubullimë të vitit 2005. Ky vendim, i marrë 7 vite pas, toka u ishte kthyer pronarëve, rezulton kundërligjshëm.
Hetimet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Lushnjës nuk kanë vërtetuar se: toka nuk ishte në juridiksionin e komunës për t’u ndarë. Disa banorë kanë përgatitur akte marrje toke të falsifikuara, për të cilat janë dënuar me burg dhe gjobë. Gjykata e Apelit Vlorë, në vitin 2014, ka urdhëruar lirimin e pronës nga zaptuesit, vendim i cili ende nuk është ekzekutuar plotësisht për shkak të rezistencës së banorëve.
Përplasja me Braçen: Ligji i vitit 2024 për një vendim të ’98-ës?
Gjatë një ballafaqimi me “Piranjat”, zoti Braçe ka përdorur si argument Ligjin për Burimet Ujore, duke pretenduar se toka nga lumi deri në argjinaturë është “publike dhe e patjetërsueshme”.
“Si bëhen ju kundër një fshati të tërë dhe kundër interesit publik?” – ishte reagimi i deputetit kur u pyet për bazën ligjore të pretendimeve të tij.
Juristët argumentojnë se një ligj i vitit 2012 apo 2024 nuk mund të ketë fuqi prapavepruese mbi të drejtat e fituara në vitin 1998. Në atë kohë, toka ishte e klasifikuar si tokë pyjore (pjesë e ndërmarrjes pyjore) dhe jo si “tokë lumi”, fakt i konfirmuar edhe nga dëshmitë e vetë banorëve dhe ish-kryeplakut të fshatit, të cilët pranojnë se aty ka pasur pyll me plepa e shelgje para se vetë ata ta shpyllëzonin dhe ta kthenin në tokë bujqësore.
Ndërsa Prokuroria e Fierit po vijon hetimet, aktualisht nuk ka asnjë sekuestro apo kufizim mbi pronën. Për avokatët e palës pronare, qëndrimi i deputetit Braçe është “populizëm elektoral” që nxit banorët drejt veprave penale, siç është zaptimi i tokës, ligje të cilat ai vetë i ka votuar në Parlament./Piranjat














