Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar pas akuzave të aktorit të njohur Robert Ndrenika sot në Komisionin e Medias dhe Edukimit.
“I nderuar artist i madh Robert Ndrenika,
Dëgjova nga mediat se ishit ankuar për mungesën e deputetëve të Grupit tim Parlamentar në nje mbledhje private të Kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar Socialist nuk bojkoton Kuvendin apo komisionet. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e kishte përcaktuar mbledhjen e radhës më datë 18 Qershor me vendim të Komisionit. Por për nevoja të skenaristit të Shqupit, që sot nuk kishin ndonjë lajm me babale, u munduan t’ju përdorin përsëri ju mish për top në teatrin e tyre të radhës.
Më beso i dashur Robert, nëse Ti beson se Albana Vokshi apo Lulzim Basha e kanë megjithë shpirt “luftën” për Teatrin, është njëlloj sikur të besosh që Lulzimi është Robert De Niro dhe Albana është Julia Roberts”, shprehet Taulant Balla në një reagim në rrjetet sociale.
Aktori i njohur Robert Ndrenika u shpreh se mungesa e shumicës në komision tregoi se këtu duhet të fillojë ‘lufta’. Ndrenika theksoi se aktorët janë përbuzur dhe braktisur, ndërsa projektin e ri e cilësoi si vjedhje.