Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka njohur partisë “Shqipëria Bëhet” të drejtën për të protestuar përpara Kryeministrisë, duke vendosur çadra, mjete ngrohëse dhe autopolantë.
Vendimi është marrë nga prokurori Bledar Vatnikaj, i cili, sipas Adriatik Lapajt, ka konstatuar se qëndrimi i protestuesve në këtë hapësirë me mjete të tilla nuk cenon të drejtën pronësore të askujt.
Lapaj, deklaroi se ky vendim tregon se sekuestrimi i mëparshëm i këtyre mjeteve nga policia është kryer në mënyrë të paligjshme dhe, sipas tij, ka pasur si qëllim demotivimin e protestës.
Pas publikimit të vendimit, në sheshin përpara Kryeministrisë u vendos sërish në mënyrë simbolike një çadër kampingu. Megjithatë, punonjësit e policisë, duke shpërfillur urdhërin e Prokurorisë kanë ndërhyrë me dhunë një ditë më parë duke kryer sërish procedurat për largimin e saj.
Teksa protestuesit brohorisnin njëzëri “Edi Rama o hajdut o hajdut”, policia ka shkuar dhe ka hequr karriget dhe çadrën e vendosur.
Qytetarët kanë kundërshtuar veprimet e policisë duke mos lejuar heqjen e çadrës, por janë përballur me dhunën e uniformave blu.
Aktivistë të “Shqipëria Bëhet” prej rreth 90 ditësh po protestojnë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.














