Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se spitali onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të riorganizohet, duke miratuar 38 protokolle të reja trajtimi në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ajo foli për pajisje moderne, akseleratorë të rinj dhe shtim të barnave në listën e rimbursimit.
Por realiteti i përditshëm i pacientëve në Onkologjik është krejt ndryshe nga tabloja optimiste e paraqitur nga Sala.
Pacientët me kancer përballen vazhdimisht me mungesa të barnave të domosdoshme. Shumë prej tyre detyrohen t’i blejnë me kosto të larta në tregun privat, duke ndërprerë trajtimet e rimbursuara.
Kjo situatë ka sjellë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve, ndërkohë që premtimet për shtim të barnave në listën e rimbursimit mbeten të papërmbushura.
“Për akseleratorin e tretë, i cili është instaluar, po bëhet kolaudimi nga ekspertët bërthamorë e do nisë së shpejti funksionimin.
Po bëhet trajnimi i stafit për leximin e ekzaminimeve të PET scan. Ndërkohë, problem ekzistues është aparatura e Brakiterapisë, e cila brenda vitit do të instalohet e re dhe do të vihet në punë falë bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Shtimi i barnave inovatore në listën e rimbursimit, duke garantuar akses më të gjerë për pacientët me patologji onkologjike dhe hematologjike.
Rritja e sasive të barnave ekzistuese në listë, për të shmangur mungesat e herëpashershme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në vijimësinë e trajtimit. Hapja e kufizimeve në FSDKSH për disa patologji onkologjike, duke rishikuar kriteret aktuale të përfshirjes së pacientëve në skemën e rimbursimit”, tha ajo.














