Një rast i pazakontë i trafikut ndërkombëtar të drogës është trajtuar nga autoritetet në Zvicër, ku katër shtetas shqiptarë, të moshës 27 deri në 36 vjeç, janë dënuar për përfshirje në kontrabandën e rreth 44 kilogramëve kokainë të pastër nga Meksika drejt Cyrihut.
Sipas mediave të huaja, tre prej të pandehurve kishin udhëtuar në korrik 2024 nga Frankfurti drejt Cyrihut, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tjerë nga Amsterdami. Në aeroportin e Cyrihut, ata janë drejtuar te karuseli i bagazheve, ku po shpërndaheshin valixhet e një fluturimi që vinte nga Cancún, Meksikë.
Të akuzuarit morën katër valixhe që përmbanin afro 44 kilogramë kokainë të pastër dhe kaluan përmes sektorit doganor “asgjë për të deklaruar”, pasi njëri prej tyre kishte kontrolluar më herët zonën për të shmangur dyshimet. I pandehuri i katërt veproi si shofer dhe transportues i lëndës narkotike.
Valixhet u dërguan në një hotel pranë aeroportit, ku droga iu dorëzua personave të tjerë shqiptarë, ende të paidentifikuar.
Rasti u zbulua pasi një çantë shpine e zezë me rreth 10 kilogramë kokainë mbeti në karusel, pasi kishte rënë nga një valixhe me zinxhir të dëmtuar gjatë shkarkimit nga avioni.
Autoritetet zvicerane dyshojnë se trafikantët në Cancún kishin korruptuar punonjës të aeroportit, të cilët dyshohet se kishin vendosur etiketa bagazhesh të pasagjerëve të ligjshëm mbi valixhet me drogë, duke bërë që bagazhet e udhëtarëve të pafajshëm të zhdukeshin.
Gjatë gjyqit, të pandehurit pranuan akuzat. Njëri prej tyre deklaroi se një kilogram kokainë në Zvicër shitej për 32 mijë franga zvicerane.
Tre prej të akuzuarve u gjykuan me procedurë të përshpejtuar dhe u dënuan me tre vite burgim, pjesërisht me kusht, si dhe me dënime të tjera prej katër dhe pesë vitesh burg pa kusht, të shoqëruara me urdhër dëbimi 10-vjeçar nga Zvicra.
Ndërsa për 27-vjeçarin, i konsideruar si person kyç në importimin e drogës, prokuroria kërkoi 10 vite burg. Gjykata e dënoi atë me 8 vite burgim dhe 12 vite dëbim nga territori zviceran, duke marrë parasysh rrëfimin e pjesshëm dhe faktin se ai mund të provohej për kontrabandimin e 34 kilogramëve kokainë.
Gjykata e cilësoi rolin e tij si “kaporal” në hierarkinë e grupit, duke theksuar se banda kishte vepruar me “profesionalizëm të jashtëzakonshëm” në organizimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.














