Një qytetar ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me hedhjen e paligjshme të mbetjeve spitalore në zonën e Kuçit, në Vlorë.
Sipas denoncimit, mbetjet me përmbajtje spitalore po depozitohen në një hapësirë të papërshtatshme, pa respektuar asnjë standard sigurie.
Materialet e hedhura përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, pasi mund të jenë të kontaminuara dhe potencialisht të rrezikshme për banorët e zonës.
Veçanërisht të ekspozuar ndaj këtij rreziku janë fëmijët dhe personat që frekuentojnë afërsi të vendit ku po grumbullohen mbetjet.
Zona ku po depozitohen mbetjet nuk është e përcaktuar për trajtimin apo grumbullimin e mbetjeve spitalore. Mungojnë masat mbrojtëse, sinjalistika dhe kontrolli nga autoritetet përkatëse, duke e bërë situatën edhe më alarmante.
Qytetari kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për mjedisin dhe shëndetin publik, me qëllim verifikimin e situatës në terren, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e masave ligjore për ndalimin e kësaj praktike të rrezikshme. /JOQ/














