Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku kërkohet largimi i Edi Ramës.
Në fjalën e tij, Lapaj u ndal te situata e infrastrukturës në vend, duke deklaruar se rrugët miliona euro të Ballukut po shemben para syve tanë si copa keku.
Lapaj vuri në dukje abuzimet që i cilësoi si “makutëri” dhe theksoi se kjo mazhorancë ka qenë fantastike dhe e jashtëzakonshme, sipas tij, vetëm në “vjedhje dhe korrupsion”.
“Kush janë punët fantastike të Belinda Ballukut? Mos është tuneli i Llogarasë që ka kushtuar 190 milionë euro, kur në Kroaci janë me 80 mln euro. Rrugët që rrëzohen si copa keku para syve tanë apo qindra miliona euro që i rëndojnë xhepave të një populli të vuajtur dhe të varfër. Cilat janë punët e jashtëzakonshme të saj, apo mesazhet se si ndaheshin tenderat dhe se si i jepeshin oligarkëve. Çfarë pune ka bërë zonja në fjalë të jashtëzakonshme, apo 1 mln shqiptarët që janë larguar nga vendi. Jo, nuk ke bërë punë fantastike, nuk keni bërë punë fantastike, keni qenë fantastikë vetëm në diçka, në korrupsion!”, tha Lapaj mes të tjerash.
Më tej ai nënvizoi se Lëvizja Shqipëria Bëhet po vijon të bëjë qëndresë dhe të përballet me qeverinë e korruptuar, teksa shtoi se qëllimi kryesor në këto momente është dalja në krah të drejtësisë të gjithë së bashku, pasi qeveria po e sulmon.
“Ne po qëndrojmë, po përballemi dhe nuk po ndalemi, edhe pse këta me makutërinë e tyre kanë bërë gjithçka që ne të ikim nga ky shesh. Sepse mes padrejtësisë dhe korrupsionit të tyre dhe drejtësisë dhe popullit nga ana tjetër, ne na duhet me gjithë shpirt të gjithë të rreshtohemi në krah të drejtësisë. Ne kemi vendosur të qëndrojmë dhe të flasim të vërtetat. Kundër një sistemi që vetëm vjedh e vetëm vjedh, vjedh shëndet, para, prona dhe gjithçka”, tha ai.














