Ish-zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u paraqit sot në mëngjes vullnetarisht në pikën kufitare të Bllacës me Kosovën.
Menjëherë pas paraqitjes së tij, ndaj Grubit u zbatua masa ligjore e “Arrestimit”, e caktuar më herët nga gjykata. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ai u privua nga liria rreth orës 06:10 dhe u dërgua në mbajtje për procedura të mëtejshme.
Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik. Rasti ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Sipas organeve të ndjekjes, vendimet dhe kontratat e nënshkruara dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme, të përllogaritura në rreth 500 milionë denarë (mbi 8 milionë euro).

Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.
Gjykata kishte caktuar më herët masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë. Me paraqitjen e tij sot në kufi, masa e arrestit u ekzekutua dhe ai pritet të përballet me procedurat e mëtejshme ligjore.














