Një valë dhune ka shpërthyer në Meksikë pas vrasjes së baronit më të kërkuar të drogës në vend.
Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, udhëheqësi i kartelit të frikshëm Jalisco New Generation (CJNG), vdiq pasi u plagos rëndë gjatë përplasjeve mes mbështetësve të tij dhe ushtrisë të dielën.
Katër anëtarë të CJNG u vranë gjatë operacionit në qytetin Tapalpa, në shtetin Jalisco, ndërsa tre ushtarë u plagosën, sipas ministrisë së mbrojtjes së Meksikës. Si hakmarrje për vdekjen e El Menchos, dhuna u përhap në të paktën një duzinë shtetesh, me CJNG që bllokoi rrugët duke djegur automjete.
Gjatë gjithë ditës së diel u raportua për persona të armatosur në rrugët e Jalisco-s dhe gjetkë. Dëshmitarët filmuan re tymi mbi disa qytete, përfshirë Guadalajara – një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës së FIFA-s.
Guvernatori i Jalisco, Pablo Lemus Navarro, shpalli kod të kuq, duke pezulluar transportin publik, anuluar aktivitetet masive dhe mësimet me prezencë fizike. Turistët në Puerto Vallarta e përshkruan qytetin si një “zonë lufte”.
Rreth 250 bllokada rrugore u vendosën në gjithë vendin gjatë trazirave, 65 prej tyre në Jalisco. Në përditësimin e fundit, kabineti i sigurisë së Meksikës tha se katër bllokada mbeten ende aktive në Jalisco.
Janë arrestuar 25 persona: 11 për pjesëmarrje në akte të dhunshme dhe 14 për grabitje e plaçkitje. Dyqane u dogjën dhe rreth 20 degë bankash u sulmuan gjatë dhunës.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se ka “koordinim absolut” mes autoriteteve shtetërore dhe federale në përgjigje të dhunës, duke u bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë “të qetë dhe të informuar”.
Ajo shtoi se “në pjesën më të madhe të vendit, aktivitetet po vazhdojnë normalisht”.
Disa linja ajrore, përfshirë Air Canada, United Airlines dhe American Airlines, kanë anuluar fluturimet drejt Jalisco. SHBA paralajmëroi qytetarët e saj të strehohen në pesë shtete: Jalisco, Tamaulipas, zona të Michoacán, Guerrero dhe Nuevo Leon. Qeveria britanike tha se janë raportuar “incidente serioze sigurie” në Jalisco, duke u këshilluar vizitorëve të tregojnë kujdes ekstrem dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
SHBA kishte ofruar inteligjencë që ndihmoi operacionin për kapjen e El Menchos. Sekretarja e shtypit e SHBA-së, Karoline Leavitt, tha se El Mencho ishte një “objektiv kryesor për qeverinë e Meksikës dhe të Shteteve të Bashkuara si një nga trafikantët kryesorë të fentanilit drejt vendit tonë”. Ajo shtoi se gjatë operacionit u vranë tre anëtarë të kartelit, tre të tjerë u plagosën dhe dy u arrestuan./BBC/














