Deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka komentuar nga foltorja e Kuvendit raportin e PE për Shqipërinë i cili theksonte se çështja e Belinda Ballukut, është një test kritik për Shqipërinë, në rrugën drejt integrimit në BE.
Tabaku akuzoi mazhorancën me në krye Edi Ramënm se në 12 vite pushtet vetëm ka dështuar për plotësimin e kritereve drejt integrimit.
Sipas saj nëse qeveria do të zbatonte ligjet dhe do të luftonte korrupsionin, Shqipëria do të ishte drejt përfundimit të procesit.
“Parlamenti vitet e fundit ka dështuar të ketë debat real qoftë për politikën e jashtme si dhe për procesin e integrimit. Ka të paktën 10 vite që parlamenti nuk merr mundimin të diskutojë një rezolutë të përbashkët për integrimin.
Shqipëria ka asetin se opozita e mbështet këtë proces. Ka një opozitë që çdo ditë pavarësisht mosdakordësive që kemi, është këtu edhe për procesin e integrimit. Ku kemi dështuar? Në këto 12 vite, dështimi ka qenë me maxhorancën. Sot Shqipëria do të ishte me një proces drejt përfundimit.
Por çdo vit në vend që të merrej me plotësimin e kritereve, janë marrë me propagandën. Për herë të parë, Shqipëria është në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ka të paktën 6 ligje që kanë shkelur këtë marrëveshjeje. Për herë të parë, Shqipëria është duke miratuar ligje që cenojnë detyrimet që janë marrë me angazhimet e proceseve paralele, qoftë nga procesi i Berlinit, te Plani i Rritjes. Po dështojmë të plotësojmë kriteret e integrimit.
Test kritik për procesin e integrimit është imuniteti i zv kryeministres. A është drejtësia e barabartë për të gjithë? E dyta lufta ndaj korrupsionit, siç tha edhe kryetari i komisionit të jashtëm se Shqipëria ra 11 vende në indeksin e korrupsionit. Sot edhe çështjet e sigurisë janë cenuar. Skandali i AKSHI-t ka cenuar sigurinë kombëtare.”, u shpreh Tabaku.














