Qarku i Kukësit është përfshirë në orët e mesditës nga reshje shiu të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.
Borë ka rënë edhe në segmentin Fushë Dukagjin-Tuneli i Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit. Aktualisht rruga është e qarkullueshme por me vështirësi.
Ndërkohë, subjekti kontraktor që ka në mirëmbajtje rrugët nacionale në Tropojë bën me dije se si pasojë e reshjeve ka pasur rënie inertesh dhe gurësh në aksin Dushaj-Lekbibaj.
Deri më tani nuk raportohen problematika të tjera, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.
Në rrugët nacionale ka prani lagështie për shkak të reshjeve të shiut, ndërsa në segmentet malore haset borë në disa zona të caktuara.
Kujdes i shtuar kërkohet edhe në rrugët rurale të qarkut Kukës.














