Armand Duka është rizgjedhur për herë të shtatë si President i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Duka u rikonfirmua sot nga Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit, për një mandat të ri katërvjeçar.
Vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, ndërsa procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
“Dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e sotme. Për mua nuk është thjesht një votim, është një vlerësim që më detyron të jem më i përkushtuar në shërbimin tuaj, në shërbim të FSHF. Do të bëjmë të pamundurën që loja jonë, kampionati ynë, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF të jenë në nivelet maksimale. Uroj që ne të gjithë bashkë të jemi pjesë e Botërorit 2026. Suksese Sylvinho, suksese ekipi Kombëtar shqiptar. Faleminderit të gjithëve”, tha Duka në fjalën e tij.
Gjithashtu janë zgjedhur edhe 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Anila Basha ishte e para që u rizgjodh, pasi mori 47 vota pro dhe vetëm një votues abstenoi.
Pas votimeve u zgjodhën Armand Cungu, Blendi Fevziu, Edmond Hasanbelli, Erind Resuli, Geri Çipi, Lufti Nuriu, Envi Hicka, Gjergji Petro dhe Pano Xhixho.
U tërhoqën Abdyl Kuriu dhe Arben Dervishaj të cilët prej vitesh kanë qenë në Komitetin Ekzekutiv. Dervishaj në mandatin e fundit ka qenë edhe zëvendëspresident i FSHF-së.














