Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas protestës së PD-së, të zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë dhe Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Në një intervistë televizive, Salianji kritikoi reagimin e forcave të rendit, duke e cilësuar atë jo proporcional ndaj qytetarëve. Sipas tij, përgjegjësia për mënyrën e menaxhimit të situatës bie mbi ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin.
Ai tha se revolta e qytetarëve u nxit nga ajo që e cilësoi si “skandal i bllokimit të drejtësisë” ndaj zëvendëskryeministres dhe nga çështja e AKSHI-t.
Salianji: Çfarë ndodhi? Çfarë kërkojnë policët aty? Çfarë do të ndodhte nëse policët largoheshin? Çfarë po ndodhte me institucionin? Çfarë do të digjej? Le të kryejnë punën e tyre, por dhuna duhet të jetë proporcionale. Përgjegjësia bie te ministri dhe kryeministri që japin urdhër për dhunë të tepruar. Nuk mund t’i vendosësh policët përpara një turme dhe të mos jesh më i matur. Si mund t’i shkosh një deputeti të opozitës me shkopinj dhe spraj piper?
Çdo qytetar që proteston duhet të vlerësohet. A ka arsye për të protestuar? Janë miliona. Ka skandalin e bllokimit të drejtësisë për zv.kryeministren dhe skandalin me AKSHI. Po bëj ndarje: një revoltë legjitime e qytetarëve, dhe Rama është i rrënuar moralisht. Revolta e qytetarëve nuk duhet të minimizohet nga lidershipi i partisë.
Siç kam thënë edhe dje, duhet t’u jepet zë njerëzve që kanë zë real. Një protestues nga Rrjolli në Velipojë, një nga çunat e projektit TID në Durrës, një qytetar në Kamëz, një paciente – këto janë shembuj të korrupsionit të pastër: 50 milion euro në vit, apo një mjek që prodhonte 1000 receta në muaj.














