Zbardhet relacioni i projektligjit të Amnistisë Penale që u miratua ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave dhe pritet që të depozitohet në Kuvend, ku do të marrë edhe “OK” e fundit.
Në relacion, thuhet se nëpërmjet këtij projektligji synohet të aplikohet një politikë lehtësuese penale për t’ju dhënë mundësi personave të dënuar të vijojnë me rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri. Po ashtu përmes kësaj nisme, synohet që të ulet mbipopullimi në burgje.
Sipas relacionit, gjatë hartimit të projektligjit është pasur në vëmendje që kategoritë e veprave penale që parashikojnë rrezikshmëri të lartë shoqërore ose të dënuarit që paraqesin rrezikshmëri të theksuar, të përjashtohen nga kjo amnisti, si konkretisht veprat penale kundër personit si vrasja, plagosja, dhuna në familje, veprat penale kundër mjedisit, terrorizmit, korrupsioni, etj.
Konkretisht, nga kjo amnisti përfitojnë:
- Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe personave të dënuar me mbi 3 vjet, por u që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.
- Të dënuara gra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet, dhe grave që janë dënuar me venim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.
- Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 50 vjeç.
- Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 60 vjeç.
- Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.












