Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Lucca të Italisë, ku 4 anëtarë të një familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (4 shkurt) në rrethana ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.
Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët, përkatësisht 22 dhe 15 vjeç. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit raportohet se ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.
Po ashtu edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, pësuan një intoksikim të lehtë, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve, gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.
Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.
Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.














