Nga Boldnews.al
Me syzet skeletkuqe, që vetë ai a ndonjë tjetër ia ka shtënë në mendjen e mbushur plot se i shkojnë dhe ngjan si “akademik politik”, kryeministri Edi Rama nisi një monolog të përhershëm. U ndal në kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve që në referencë të ligjeve dhe VKM-së kërkojnë rritje page. “Jemi në një situatë kur gjykatësit duan të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë dhe dy pushtetet e tjera dhe duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre”, tha kryeministri.
Në vijim të përroit psiqik verbal, duke ngritur pyetje dhe përgjigjur po vetë, Rama kërkon të japë sinjal të qartë për veshët e atyre që i kap për veshi, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në sugjerim që sipas tij të mos e pranojnë këtë “çmenduri gjyqtarësh” që kërkojnë paga më të larta për veten, kryeministri po u kujton çdo ditë se as nuk i interson fare nëse rriten a nuk rriten pagat e gjyqtarëve, por qëllimin e ka në tjetër vend.
Ai nuk e percepton dot se një institucion, qoftë ky edhe i paravruar në letra, i ikën varësisë tërësore ndaj tij. Gjithashtu qëllimi kryesor mbetet presioni i vazhdueshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku. Duke e mbajtur në raprezalje psikologjike kushteuesja trembet çdo ditë e më shumë, ndërsa nuk guxon që të marrë një vendim për çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Ballukun, duke e shtyrë pa afat një çështje që më shumë se kohë për “analizë ligjore e kushtetuese” kërkon karakter për vendimarrje.
Pikërisht kjo e fundit që duhet të ishte e para i mungon secilit prej mantelzinjve në elitën e drejtësisë. Prej dy muajsh mbajnë në duar një çështje që kërkon vetëm dy interpretime, një nen nga Kushtetuta e vendit dhe një tjetër nga Kodi i Procedurës Penale. Deri më tani mantelzinjtë që i ndan një mur me Kryesinë e Kuvendit dhe 40 metra me kryeministrinë janë futur në një lojë të pisët politike në favor të qeverisë. Paradoksalisht tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese po mbajnë peng edhe kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Të vetëofruar për tu denigruar, ata po i japin Ramës kohë, pikërisht çka kërkon ai para skandaleve që shkojnë përtej çdo imagjinate, siç është çështja Balluku apo ajo e AKSHI-t. Rama po shijon suksesin e tij ka punuar gjatë për këtë ditë, që nnga viti 2016 kur thotë se “ngjizi” reformën në drejtësi. Tashmë “bijtë dhe bijat” e asaj “orgjie” qeveritaro-ndërkombëtare po i gjenden babait në ditë të vështira.














