Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka arritur një marrëveshje tregtare me Kryeministrin indian Narendra Modi, sipas së cilës tarifat mbi mallrat nga India do të ulen nga 25% në 18%.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se India do të heqë të gjitha barrierat tregtare dhe do të ndalojë blerjen e naftës ruse, ndërsa penaliteti shtesë prej 25% i vendosur për shkak të refuzimit të Delhit për të ndalur importin e naftës nga Rusia do të hiqet.
Marrëveshja vjen më pak se një javë pas nënshkrimit të një pakti historik tregtar mes Indisë dhe Bashkimit Europian.
Modi, në një postim në X, u shpreh i “shumë i kënaqur” për arritjen e akordit me SHBA-në, duke e cilësuar si një hap që sjell përfitime të ndërsjella për dy demokracitë më të mëdha në botë. Trump shtoi se India është zotuar të blejë mbi 500 miliardë dollarë produkte amerikane, përfshirë energji, teknologji, bujqësi dhe qymyr.
Marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve ishin tensionuar pas vendosjes së tarifave 50% nga SHBA në gusht, ndërsa eksportet indiane drejt tregut amerikan kishin pësuar rënie të ndjeshme. Analistët e shohin këtë marrëveshje si një kundërpërgjigje ndaj paktit të Indisë me BE-në, ndërsa tregjet amerikane reaguan pozitivisht me një rritje të lehtë të aksioneve pas njoftimit.
Ndërkohë, koalicioni “We Pay the Tariffs” që përfaqëson 800 biznese të vogla amerikane kritikoi marrëveshjen, duke e cilësuar si një “taksa e përhershme” që mbetet shumë më e lartë se niveli i mëparshëm prej 2.5%./BBC














