Endri Shabani, tashmë në krye të Avokatit të Popullit, ka deklaruar se do të dërgojë një ekip vëzhgimi në protestën e thirrur këtë pasdite nga Adriatik Lapaj, te Kryeministria.
Në reagimin zyrtar të ndarë për mediat, thuhet se zyra e Avokatit të Popullit ka ndërmarrë masa për monitorimin e protestës dhe do të angazhojë në terren një ekip vëzhguesish për mbarëvajtjen e protestës.
“Një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore. Ky angazhim synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Endri Shabani, dikur drejtues i Nismës Thurrje, ishte në koalicion me Lapajn në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku morën vetëm një mandat. Ndërkohë vetë Adriatik Lapaj e ka cilësuar Shabanin si vegël e Edi Ramës.
Protesta e thërritur nga “Shqipëria Bëhet” është thirrur pasditen e kësaj të shtune, në orën 17:00 te Kryeministria ku kërkohet largimi i Edi Ramës, pas aferave dhe skandaleve që përfshinë qeverinë e tij.














