Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, ka denoncuar këtë të mërkurë, një tjetër gjendje të rënduar të rrugëve, në Luz të Fushë-Krujës.
Në një reagim në rrjete sociale, Kalaja shprehet se rruga te “Kodra e Gjinve” është shembur thuajse totalisht, duke rrezikur banorët e zonës.
Sipas tij, në këtë rrugë kalojnë çdo ditë fëmijë të vegjël për në shkollë, duke rrezikuar jetën, ndërsa shton se në rast emergjence nuk kalojnë dot as ambulancat as zjarrfikësja.
Kalaja shton se, edhe pse kjo rrugë është shembur prej disa ditësh askush nga instancat përkatëse nuk ka shkuar të shikojë gjendjen.
“Ka rënë e gjithë traseja poshtë dhe këtu janë disa familje totalisht të izoluara dhe rrezikojnë jetën duke kaluar këtu. Askush nuk e ka parë këtë lagje për tu shqetësuar për shëndetin e banorëve. Nënat që çojnë fëmijët në shkollë janë të shqetësuara. E gjithë rruga është në këtë lloj forme, pra janë gropa që janë hedhur vetëm një rërë e imët dhe bie sapo bie shiu i parë”,- është shprehur Kalaja krahas videos.














