Ministria e Mbrojtjes në Kinë ka njoftuar se ka nisur një hetim ndaj gjeneralit me gradën më të lartë të vendit për shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit. Ministria nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me akuzat kundër gjeneralit Zhang Youxia, i cili konsiderohet aleati më i ngushtë ushtarak i presidentit Xi Jinping.
Mediat e huaja shkruajnë se në Kinë, akuza për akte të paligjshme zakonisht lidhet me korrupsionin. Në deklaratën e saj, ministria tha se një tjetër oficer i lartë ushtarak, gjenerali Liu Zhenli, është gjithashtu nën hetim.
Kush është 75-vjeçari Zhang Youxia?
75-vjeçari Zhang është nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i cili kontrollon forcat e armatosura. Ai është gjithashtu anëtar i organit më të lartë vendimmarrës të partisë, Byrosë Politike prej 24 anëtarësh. Babai i tij ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Kinës.
Zhang iu bashkua ushtrisë në vitin 1968 dhe është një nga udhëheqësit e paktë të lartë me përvojë luftarake. Ai mbeti në pozicionin e tij pavarësisht moshës së tij, gjë që tregon besimin që Xi i ka treguar deri më tani.
Presidenti Xi Jinping lufton kundër korrupsionin
Që nga ardhja në pushtet, Presidenti Xi Jinping ka nisur një sërë fushatash kundër korrupsioni në ministri të ndryshme, dhe kjo fushatë kohët e fundit është përqendruar shumë në ushtri. Ai e ka përshkruar korrupsionin si kërcënimin më të madh për Partinë Komuniste dhe ka thënë se lufta kundër tij mbetet serioze dhe komplekse.














