Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se protesta e PD, e planifikuar për datën 24 janar në orën 17:00 para Kryeministrisë, është vetëm pjesë e një procesi të vazhdueshëm dhe nuk do të ndalet me kaq.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Boçi u shpreh se protestat kanë nisur që më 22 janar me foltoret e PD-së dhe do të vijojnë me frekuenca të ndryshme, deri në protesta të përhershme.
Sipas tij, forma dhe shtrirja e protestës do të varen nga revolta dhe zemërimi i qytetarëve, duke mos përjashtuar mundësinë që ajo të përhapet në disa zona të kryeqytetit.
Luçiano Boçi: Ka pritshmëri shumë nga ana e qytetarëve, ka pritshmëri politike për atë që ajo ndërton me rezultatet e saj dhe atë që ajo ndërton në vazhdimësinë e procesit të protestave. Kemi thënë që protesta është proces dhe jo një akt i vetëm. E kemi nisur në datën 22 kemi vazhduar me Foltoret, jemi para datës 24 dhe mund të vazhdojmë me frekuenca më të shtuar për të vijuar me protesta permanente. Kërkesa është e qartë, jemi në krizë politike apo edhe krizë korruptive. Kjo qeverisje nuk ka më autoritetin as moral, politik as ekzekutiv që të vazhdojë të jetë në drejtim.
Protesta ka shumë kombinacione dhe ka edhe pjesën e parë dhe pjesën e re. E reja pritet të ndodhë dhe e reja nuk paraflitet dhe pritet të ndodhë në Bulevard sepse gjithçka përcaktohet nga ajo që prodhon vetë revolta dhe zemërimi i qytetarëve, por edhe revolta dhe zemërimi politik, pra sipas dinamikës. Mund të ketë lëvizje, mund të qëndrojë po në bulevard, por mund të përhapet në të gjithë kryeqytetin në forma të ndryshme. Organizimi është tradicional që bëhet vazhdimisht, jo vetëm aktivizim i strukturave të PD, por edhe i qytetarëve qyteteve të tjera, por peshën kryesore e mban kryeqyteti.
Grupi parlamentar i PD ka shprehur gatishmërinë e tij si rrallëherë që të ndërmarrë akte të papara në Parlament sikurse ka vijuar betejat e veta brenda asaj hapësire që të lejon Parlamenti. Por këtu kemi edhe diskutimin që bëhet për 21 Janarin, por menaxhimin e një proteste e ka në dorë forca politike. Pra detaji vjen nga ai që e organizon, dhe unë e lidh që është organizuesi ai që mbart përgjegjësinë se si orienton masën. Pra kur gjykojmë një ngjarjes që ka ndodhur dhe ka pasur dhunë ekstreme duket sikur pesha e fajit i bie atij që ka qenë jo pjesë e protestës, ndërsa tani ngaqë nuk bëhen këto, pastaj i bie që vetë organizimi politik nuk e stimulon. Pra për të parë se kush janë fajtorët e 21 janarit e bëra këtë ballafaqim, përgjegjësia politike është ajo që e bën, pra qytetarët nga e kërkojnë pse nuk e bëjnë më të fortë, dhe ne themi se ka ritmet e veta. Por jo duke e lënë qytetarin veçmas sepse është drejtimi politik ai që duhet të jetë në skalionin e parë, në çdo aksion.














