Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim, shtetasen Klotilda Kola 60 vjeçe, e cila hiqej si avokate dhe u premtonte qytetarëve zgjidhje të shpejtë të çështjeve ligjore, duke përfituar para nëpërmjet mashtrimit.
Sipas organit të akuzës, në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.768 të vitit 2025, regjistruar mbi bazën e kallëzimit të disa shtetasve dhe transmetimit në mediat investigative ku paraqiteshin shqetësimet se e pandehura Klotilda Kola, duke u prezantuar si avokate, kishte arritur të merrte vlera monetare nëpërmjet mashtrimit, u evidentua se e pandehura, e cila për një periudhë të gjatë kohore është prezantuar si avokate, ka përfituar shuma monetare nga disa qytetarë, duke u premtuar zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore, administrative dhe gjyqësore, përfshirë legalizime pronash, procedura pensioni, çështje pronësie, përfaqësim në procese gjyqësore civile etj.
Nga verifikimet e kryera rezulton se këto shërbime, nuk janë realizuar, megjithëse vlerat monetare janë marrë nga e pandehura. Pagesat janë kryer në forma të ndryshme, përfshirë dorëzime në dorë, transferta financiare dhe pagesa të deklaruara si kapar apo shpenzime procedurale.
Në disa episode, viktimat janë siguruar nga Klotilda Kola se procedurat ishin në vijim dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara, ndërkohë që më pas komunikimi me të është ndërprerë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret
. Në raste të tjera, rezulton se janë dhënë informacione të pavërteta mbi ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat, pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë rezultuar të jenë bërë prej saj. Të mashtruar nga Kola në këtë procedim janë evidentuar 8 shtetas kryesisht qytetarë të Lushnjes dhe Fierit.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se Kola ka kryer veprime në dukje të një përfaqësimi ligjor në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit, si dhe ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar ato pranë organeve tatimore. Nga të dhënat e administruara, rezulton se për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke mos deklaruar të ardhurat e përfituara dhe duke shmangur detyrimet përkatëse tatimore.
Kola akuzohet për veprën penale ‘Mashtrimi’ e kryer më shumë se një herë dhe ‘Fshehja e të ardhurave’.














