Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.
Procesi, i regjistruar më 8 maj 2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë, nisi pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek.
Sipas pretendimeve të kryedemokratit, Sali Berisha, gjyqtarja ishte dënuar nga autoritetet greke dhe nuk kishte deklaruar këtë në formular për një incident të datës 24 dhjetor 2002 në pikën kufitare të Kakavijës, ku sipas tij ajo është konstatuar me dokumente udhëtimi të falsifikuara.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria njofton se ka miratuar rezultatet dhe i ka përcjellë ato në Këshillin e Lartë Gjyqësor, organi përgjegjës për vlerësimin e kushteve të ndalimit.
“Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.














