Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur sot në 15 janar të ndryshojë masën e sigurisë për tre personat e dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, duke zëvendësuar “arrestin në burg” me “arrest shtëpie”.
Burime nga drejtësia konfirmojnë se bëhet fjalë për Valter Mollaj, kushëririn e tij Edlir Mollaj dhe çobanin Bleti Angjo, të cilët janë liruar nga paraburgimi, pasi Apeli ka konstatuar humbjen e fuqisë së masës së caktuar më 20 qershor 2022, për shkak të tejkalimit të afatit maksimal ligjor për qëndrimin në burg.
Vrasja e Martin Çeços ndodhi në qershor të vitit 2022, kur ai u qëllua për vdekje dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq, një ngjarje që tronditi komunitetin lokal dhe mori vëmendje të madhe në media.
Historia e vrasjes së Martin Çeços lidhet me një konflikt personal dhe xhelozi, ku sipas hetimeve, motivet kryesore ishin marrëdhëniet e tij me një vajzë, Martina Pajollari, e cila vijon të jetë në burg si e përfshirë në ngjarje.














