Disa turistë të huaj kanë mbetur të izoluar këtë të diel, në aksin rrugor Librazhd – Bulqizë, si pasojë e reshjeve të dëborës.
Sipas raportimeve, segmenti që përshkon mes për mes fshatin turistik Fushë Studen, në Njësinë Administrative Steblevë të bashkisë Librazhd, deri në mesditën e së dielës ka qenë pothuajse i pakalueshëm, për shkak të mungesës totale të ndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës.
Sipas burimeve, firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka kryer asnjë ndërhyrje, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave të ulëta që kanë sjellë ngrica të rrezikshme.
Si pasojë, me dhjetëra automjete dhe qindra turistë, të nisur drejt turizmit malor në Parkun Kombëtar të Shebenikut, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në zonën e njohur si “Shkalla e Lunikut”.
Edhe pse Edi Rama, lëvdohet me numrin e turistëve që frekuentojnë vendin tonë për pushime gjatë verës dhe dimrit, këta të fundit janë përballur së fundmi me një papaërgjegjshmëri totale të institucioneve përgjegjëse, duke mbetur të bllokuar në temperatura minus.














