Reshjet e dendura të dëborës gjatë orëve të fundit kanë krijuar një situatë të rënduar në njësinë administrative Kukur, në bashkinë Gramsh, duke bllokuar rrugët dhe izoluar disa fshatra.
Sipas raportimeve, pesë fshatra janë të pakalueshme, ndërsa më problematiku mbetet fshati Rovjë, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 70 centimetra, duke pamundësuar qarkullimin e mjeteve dhe ndërhyrjen e mjeteve borëpastruese.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga mungesa e energjisë elektrike. Nëntë fshatra të zonës janë prej më shumë se 24 orësh pa drita, duke e bërë të vështirë furnizimin me shërbime bazë dhe ngrohjen e banesave.
Për shkak të motit ekstrem, procesi mësimor është pezulluar në gjashtë shkolla, ndërsa mjetet e transportit publik nuk qarkullojnë, duke lënë komunitetin tërësisht të izoluar.














