Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi situatën kaotike të shkaktuar nga përmbytjet në qytetin bregdetar, ku këtë të enjte humbi jetën edhe punonjës i bashkisë, Astrit Hysenaj, 54-vjeç.
Lidhur me rastin bashkia e Emiriana Sakos hoqi përgjegjësinë nga vetja duke thënë se 54-vjeçari u paraqit në punë dhe u largua, duke pretenduar se humbi jetën jashtë orarit të punës.
“Bashkia Durrës informon se punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, z. Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.
Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit”,- thuhet në njoftimin e Bashkisë së Durrësit.
Ndërkohë burime bëjnë me dije se Prokuroria ka nisur hetimet, pasi ka dyshime se situata me 250 ha tokë të përmbytur mbi 1000 familje të prekura e të dëmtuara, është shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të Hidrovorit.
Po të njëjtat burime konfirmojnë se Prokuroria po heton për veprën penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes” dhe “shpërdorim detyre”.
Ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën.
LEXO EDHE:
Skema “5D” edhe në Durrës/ Kush është banda që dënoi qytetin me përmbytje














