Banorët e lagjes Fermë në bashkinë Cërrik po përballen prej gjashtë ditësh me mungesë totale të ujit të pijshëm, duke e bërë jetesën e përditshme tepër të vështirë për qindra familje, veçanërisht në prag të festave të fundvitit.
Sipas banorëve, prej ditësh nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga institucionet për arsyet e ndërprerjes së furnizimit me ujë, ndërsa situata po përkeqësohet nga dita në ditë. Shumë familje janë detyruar të blejnë ujë për nevojat bazë ose të sigurohen nga puse private të fqinjëve.
Sipas tyre, rreth 400 familje janë të prekura nga kjo situatë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël kanë pranuar të flasin publikisht, për shkak të frikës apo mungesës së besimit se situata do të marrë zgjidhje, shkruan JOQ.
Problemi në Cërrik vjen në një kohë kur edhe qyteti i Vlorës ka përjetuar mungesë të ujit të pijshëm për rreth pesë ditë rresht, duke nxjerrë në pah problematika serioze në furnizimin me ujë në disa zona të vendit.
Kjo situatë ngre pikëpyetje të forta, në një kohë kur kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2027, ndërsa qytetarët ende përballen me mungesën e shërbimeve më bazike si uji i pijshëm.














