Nga Boldnews.al
Në fillim të Tetorit 2025, disa punonjës të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës u pezulluan nga detyra, pas një skandali me natyrë seksuale me një të mitur 16-vjeçare, ku ishin përfshirë disa efektivë policie.
Sipas informacioneve zyrtare, të shpërndara nga Qendra e Policisë së Shtetit, u njoftua se Proda kishte pezulluar me efekt të menjëhershëm nga detyra edhe shefin e Krimeve të Përmetit, Dhurim Çenko. Burime zyrtare thanë në atë kohë se Çenko kishte qenë në dijeni të skandalit seksual, por nuk kishte raportuar dhe nuk kishte marrë asnjë masë për kolegët dhe vartësit e tij.
“Në lidhje me këtë ngjarje nga DVP Gjirokastër në datë 18.09.2025 ndaj punonjësit të policisë Komisar Dhurim Çenko me detyrë Shef i Seksionit për Krimet në Volum në Komisariatin e Policisë Përmet ka filluar hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore në bazë të Ligjit Nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Neni 121, pika 1, gërma a “Mospërmbushja e detyrave, ose mos respektimi i përsëritur i afateve në përmbushjen e detyrave, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda”. Sa më sipër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standarteve Profesionale në datë 19.09.2025 është marrë vendim për pezullimin nga detyra të këtij punonjësi policie deri në përfundim të hetimit disiplinor. Për të gjithë punonjësit e policisë për të cilët kemi pasur të dhëna se kanë qenë të implikuar në këtë ngjarje janë njoftuar strukturat e Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë – Gjirokastër“, thuhet në njoftimin zyrtar për ngjarjen.

Por, tre muaj pas kësaj ngjarjeje të rëndë, kur edhe prozhektorët mediatikë e publikë u larguan nga ngjarja e Përmetit, Dhurim Çenko u rikthye më i fortë në detyrë, me një vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Apelit.
Fillimisht, Çenko u transferua si inspektor pranë Komisariatit të Policisë së Elbasanit. Me një vendim të gjykatës së Gjirokastrës, ai u pezullua nga ky funksion, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë, për ngjarjen e Përmetit.
Por, ai vendim gjykate nuk është më në fuqi dhe tashmë Dhurim Çenko është emëruar në postin e Shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë së Elbasanit.
Ngjarja
E mitura 16-vjeçare është abuzuar seksualisht nga njerku i saj P.B. 55 vjeç, i cili është punonjës policie në Komisariatin e Përmetit. Të dhënat nga burime hetimore thonë që 16-vjeçarja është ngacmuar seksualisht edhe nga një polic tjetër, Artur Ago 53 vjeç, koleg dhe shok i njerkut të saj. Polici i dytë është punonjës në Komisariatin e Policisë së Tepelenës.
Nga hetimet e Prokurorisë së Gjirokastrës, Policisë së Gjirokastrës dhe AMP-së, ka rezultuar se 16-vjeçarja është abuzuar seksualisht nga njerku prej 3 vitesh, si dhe është abuzuar seksualisht nga polici tjetër Artur Ago 53 vjeç.
Rasti i rëndë u mësua në mes të shtatorit 2025, pasi në rrjete sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga polici Ago. Pretendohet se ekziston një video për këtë raport intim.
Autoritetet identifikuan dy personat që shantazhuan policin Artur Ago, duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar në një emision investigativ një video që ata pretendonin për marrëdhënien intime të tyre.
Ata janë Kristian Prifti 46 vjeç dhe shoku i tij Isi Pasho 27 vjeç. 46-vjeçari Prifti u arrestua në Tiranë ditën e sotme. Ky i fundit ka pasur edhe vetë lidhje intime me të miturën 16-vjeçare.
Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, Kristian Prifti dhe Isi Pasho dyshohet se i kanë bërë presion 16-vjeçares, duke e kërcënuar dhe detyruar të zhvillonte një video-regjistrim në muajin Gusht 2025, me policin Artur Ago, ku shfaqej ky i fundit në momente intime.
Sipas Prokurorisë, dy shantazhuesit, duke përdorur 16-vjeçaren, kanë kanosur punonjësin e policisë, për publikimin e videos në një emision investigativ.














