Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Leonard Dukës, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019.
I pandehuri nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa në seancë morën pjesë nëna dhe motra e viktimës. Mbrojtja e Dukës kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se mungesa e tij pamundësonte paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Trupi gjykues e pranoi kërkesën dhe vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 16 janar, në orën 13:30.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 32 vite burg për Leonard Dukën, i akuzuar si organizator i vrasjes së Santiago Malkos.














