Policia ka dhënë të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e regjistruar një ditë më parë në sektor “Rinia”, pranë “Eco Park”, në Durrës, ku u përfshinë nga flakët disa autobusë.
Sipas Policisë, zjarri ka djegur 8 autobusë, ndërsa ngjarja është cilësuar si aksidentale.
Policia thotë se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me zjarrin në parkun e autobusëve, ku u dogjën 8 autobusë që ndodheshin jashtë funksionit, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori si ngjarje aksidentale, pasi nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve”, thuhet në njoftim.














