Tre punonjës të Bashkisë së Vlorës janë pezulluar nga detyra që prej 19 dhjetorit 2025, pasi dyshohet se kanë marrë karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve.
Gjithashtu është nisur procedim disiplinor edhe ndaj një efektivi të Policisë Bashkiake, i cili duhej të kontrollonte zonën.
Rasti u evidentua pasi u ngritën dyshime se nga një mjet pune, i angazhuar në pastrimin e kanalizimeve të qytetit, mund të ishte marrë karburant.
Pas një kontrolli të thjeshtë, rezultoi se kamera e sigurisë që mbulonte zonën ishte zhvendosur “rastësisht”.
E njëjta situatë është konstatuar edhe në një tjetër orar shërbimi, çka shton pikëpyetjet për mënyrën se si monitorohet një nga pikat më të rëndësishme të shërbimeve publike në qytet.
Sipas deklarimeve, kamerat ishin lëvizur me pretendimin se dy punonjës të ndërmarrjes së pastrimit kishin kërkuar zhvendosjen e tyre për të furnizuar automjetin me një bidon naftë.














