Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Kaliforninë që nga e mërkura, duke sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe përmbytje në disa zona. Autoritetet kanë nisur operacione shpëtimi dhe kanë lëshuar urdhra evakuimi për banorët në zonat më të rrezikuara.
Zonat e prekura më herët nga zjarret shkatërruese janë vënë në gatishmëri të lartë, pasi terreni i dëmtuar rrit rrezikun e rrëshqitjeve të dheut. Zyrtarët e Qarkut të Los Angeles bënë të ditur se një ditë më parë janë shpërndarë rreth 380 urdhra evakuimi për banesa të konsideruara veçanërisht të cenueshme.
Në San Bernardino County, zjarrfikësit raportuan se po shpëtonin persona të bllokuar në automjetet e tyre, pasi balta dhe mbeturinat përmbytën një rrugë që të çon drejt vendpushimit malor Wrightwood, në malet San Gabriel Mountains, rreth 130 kilometra në verilindje të Los Angeles. Autoritetet nuk dhanë menjëherë shifra të sakta për numrin e të shpëtuarve.
Zjarrfikësit kryen gjithashtu kontrolle sigurie derë më derë, ndërsa në disa zona u vendos urdhër për të qëndruar në shtëpi. Zona Little Creek, po ashtu në malet San Gabriel, u vu nën urdhër evakuimi, teksa reshjet vazhduan pa ndërprerje.
Pamje të publikuara nga autoritetet lokale treguan baltë dhe mbeturina që vërshonin në rrugët e Wrightwood, si dhe ujëra të rrëmbyeshëm që kalonin mbi verandat e shtëpive, duke theksuar rrezikun e situatës për banorët. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.














