Një ngjarje e rëndë ka tronditur Portugalinë këtë të mërkurë, ku një 13-vjeçar britanik u vra me thikë nga ish-partneri i nënës së tij, një burrë 43-vjeçar.
Ngjarja ndodhi në qytetin Tomar, ku autori, shtetasi portugez Gonçalo Carvalho, dyshohet se fillimisht sulmoi nënën e fëmijës, e mbajti të lidhur në banesë dhe më pas goditi për vdekje djalin e saj, Alfie Hallett. Pas krimit, autori u vetëplagos rëndë dhe u bllokua brenda shtëpisë.
Sipas autoriteteve, në përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja, autori shkaktoi edhe një shpërthim gazi, nga i cili mbeti i plagosur një efektiv policie. Si i mituri, ashtu edhe autori u gjetën me plagë të shumta me thikë.
Mediat raportojnë se nëna e 13-vjeçarit arriti të lirohej dhe kërkoi ndihmë te fqinjët, përpara se të dërgohej në spital me shenja të rënda dhune. Një fqinj deklaroi se ajo ishte “shumë e frikësuar, e goditur rëndë në fytyrë dhe me shenja lidhjeje në duar dhe këmbë”.
Sipas CNN Portugal, autori kishte një të kaluar kriminale: ai ishte dënuar më herët për vrasje, pasi kishte therur një burrë dhjetëra herë, dhe kishte kaluar rreth 15 vite në burg, duke u liruar para kohe për sjellje të mirë.
Raportohet gjithashtu se i mituri kishte denoncuar raste dhune në familje gjatë viteve 2022–2023. Edhe pse çifti ishte ndarë në vitin 2023, fqinjët kanë deklaruar se autori vijonte të shfaqej shpesh pranë banesës, duke tentuar të kontrollonte ish-partneren.
Autoritetet portugeze po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa rasti ka rihapur debatin mbi mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe menaxhimin e personave me precedentë të rrezikshëm penalë.














