Zjarrfikësit që shërbejnë në Portin e Durrësit kanë ngritur publikisht shqetësimin e tyre për mosrespektimin e të drejtave financiare, duke denoncuar vonesat dhe mungesën e pagesave që, sipas tyre, u takojnë me ligj. Ata theksojnë se ndihen të diskriminuar dhe të neglizhuar, pavarësisht rrezikut dhe përgjegjësisë së lartë që mbart puna e tyre.
Punonjësit e shërbimit zjarrfikës në port bëjnë me dije se, edhe pse prej më shumë se një viti ka hyrë në fuqi një Vendim i Këshillit të Ministrave për shtesë të pagës, ky vendim ende nuk është zbatuar.
Ata shprehen se kjo situatë ka krijuar pakënaqësi dhe ndjenjë padrejtësie, duke i vendosur në një pozitë të pabarabartë krahasuar me kolegët e tyre në shërbime të tjera zjarrfikëse në vend.
Një tjetër problem i evidentuar lidhet me mosshlyerjen e orëve shtesë të punës. Zjarrfikësit raportojnë se nuk janë paguar për shërbimet e kryera jashtë territorit të portit, në raste emergjencash apo angazhimesh të posaçme, duke e konsideruar këtë si një shkelje të hapur të të drejtave të tyre.
Zjarrfikësit e Portit të Durrësit shprehen se nuk kanë përfituar shpërblimin e fundvitit, ndryshe nga zjarrfikësit e tjerë në vend. Ata theksojnë se kanë mbetur jashtë skemës pa asnjë sqarim zyrtar, duke e cilësuar këtë si një tjetër formë diskriminimi.
Në mesazhin e mbërritur te JOQ , një prej zjarrfikësve shprehet: “Kisha një ankesë nëse mundeni ta postoni ju lutem. Punoj tek Porti i Durrësit si zjarrfikës, dhe nuk na kanë dhënë as shtesën e pagës që është bërë para një viti me VKM, dhe është në fletoren zyrtare, as orët shtesë që kemi dalë jashtë portit në shërbim. As shpërblim për këtë fundvit nuk na kanë dhënë! Të gjithë zjarrfikësit e tjerë kanë marrë, vetëm te porti jo. Nëse mundeni ta postoni dhe i kërkojmë institucioneve që të reagojnë. Faleminderit shumë!”














