Vendet evropiane pritet të miratojnë krijimin e një organi ndërkombëtar me seli në Hagë, i cili do të vendosë mbi kompensimin që Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës dhe për krimet e dyshuara të luftës.
Komiteti, i quajtur Komisioni Ndërkombëtar i Kërkesave për Ukrainën, do të shqyrtojë kërkesat për kompensim dhe do të përcaktojë shumën që duhet të paguhet, duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga Regjistri i Dëmeve, ku deri më tani janë depozituar rreth 80 mijë kërkesa nga individë, institucione publike dhe organizata.
Sipas mediave ndërkombëtare, themelimi i këtij mekanizmi pritet të miratohet gjatë një konference të organizuar nga Holanda në Hagë, me pjesëmarrjen e dhjetëra zyrtarëve evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
Ministri i Jashtëm i Holandës, David van Weel, theksoi se kompensimi është një element thelbësor i llogaridhënies. “Pa llogaridhënie, një konflikt nuk mund të zgjidhet plotësisht. Pagesa e kompensimit është pjesë e këtij procesi”, u shpreh ai.
Mekanizmi do të koordinohet nga Këshilli i Europës, me seli në Strasburg, i cili numëron 46 shtete anëtare. Rusia u përjashtua nga kjo organizatë në mars të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Hapi i radhës parashikon krijimin e një fondi kompensimi, megjithatë mënyra e funksionimit të tij mbetet e paqartë, për shkak të debateve mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Ndërsa shumë vende të BE-së mbështesin përdorimin e tyre, Belgjika ka shprehur rezerva, pasi shumica e këtyre aseteve ruhen në depozitën financiare Euroclear në territorin e saj.
Çështja e aseteve të ngrira ruse pritet të diskutohet edhe në samitin e liderëve të BE-së që nis të enjten, në një kohë kur po intensifikohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.














