Trupat ndërkombëtare pritet të vendosen në Rripin e Gazës gjatë muajit janar, si pjesë e një plani të ri të SHBA-së për krijimin e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) të autorizuar nga Kombet e Bashkuara. Dy zyrtarë amerikanë, të cituar nga Reuters, thanë se qëllimi është krijimi i një pranie ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, megjithëse ende mbetet e paqartë se si do të çarmatoset Hamasi.
Sipas burimeve, ISF nuk do të ketë mandat për të luftuar kundër militantëve palestinezë. Shumë vende kanë shprehur interes për të marrë pjesë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatisin detajet teknike të misionit, përfshirë madhësinë e trupës, strukturën, strehimin dhe trajnimin.
Një gjeneral amerikan me dy yje po konsiderohet për të udhëhequr operacionin, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Vendosja e forcës shihet si pjesë thelbësore e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Në fazën e parë të marrëveshjes, e nisur më 10 tetor, u arrit një armëpushim i brishtë, ku Hamasi liroi pengjet, ndërsa Izraeli liroi disa të ndaluar palestinezë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se po zhvillohen “planifikime të qeta prapa skenave për fazën e dytë të marrëveshjes së paqes”, me qëllim “sigurimin e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë”.
Ndër vendet që kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në mision është Indonezia, e cila ka njoftuar se mund të dërgojë deri në 20 mijë trupa për detyra humanitare, shëndetësore dhe rindërtuese.
Ndërkohë, Izraeli vijon të kontrollojë rreth 53% të territorit të Gazës, ndërsa afërsisht 2 milionë banorë jetojnë në pjesën tjetër të administruar nga Hamasi.
Plani i SHBA-së parashikon që Forcat Ndërkombëtare të Sigurisë (ISF) të vendosen fillimisht në zonat e kontrolluara nga Izraeli, si hap drejt normalizimit gradual të situatës në territorin palestinez.














