Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Portin e Durrësit, ku një anëtar i ekuipazhit të një anijeje ka humbur jetën tragjikisht gjatë procesit të punës.
Viktima është Avaz Yafarov, 24 vjeç, me shtetësi azere, pjesë e ekuipazhit të anijes tregtare “Kyebele”.
Ngjarja ndodhi në kalatën nr. 2, ku anija ishte e akostuar për të shkarkuar një ngarkesë me grurë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, i riu u godit papritur nga rryma elektrike, ndërsa po punonte në bord, në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Ekuipazhi i anijes i dhanë ndihmën e parë, por përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të pamjaftueshme. Mjekët konstatuan vdekjen e tij në vendngjarje.
Policia portuale dhe autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit fatal. Ende nuk ka informacion nëse janë respektuar protokollet e sigurisë në bord apo në zonën e punës ku ndodhi ngjarja.














