Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 20-vjeçar, i dyshuar për mashtrim dhe shantazh ndaj personave të ndryshëm në rrjetet sociale.
Sipas hetimeve, i riu dyshohet se gjatë një periudhe rreth dyjavore ka krijuar profile false në një rrjet social, përmes të cilave komunikonte me shtetas të ndryshëm dhe siguronte prej tyre foto personale. Më pas, duke përdorur metoda mashtrimi dhe presioni psikologjik, ai u kërkonte viktimave shuma që varionin nga 500 deri në 1000 euro, në mënyrë që fotot të mos publikoheshin.
Policia ka dokumentuar dy raste mashtrimi, përfshirë një episod të datave 05.12.2025 dhe 06.12.2025, gjatë të cilave i arrestuari ka përfituar në mënyrë të përsëritur 750 euro nga një 36-vjeçar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e mëtejshëm të hetimeve dhe veprimeve ligjore.














